Home Lajme Të rinjtë e Kosovës duan ta shohin Evropën: Jemi të izoluar!

Të rinjtë e Kosovës duan ta shohin Evropën: Jemi të izoluar!

by 05
0 comment

“Jemi të izoluar!”.

Kështu thonë disa të rinjë nga Prishtina me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.

Ne i kemi pyetur të rinjtë se çfarë i brengos ata dhe çfarë mungon në Kosovë.

Pamundësia e udhëtimit pa viza, gjetja e një pune në profesion, mosmundësia për të treguar aftësitë, janë disa prej shqetësimeve të tyre.

“Si student i arkitekturës është pikë kyçe të vizitojë objekte në vende të ndryshme të botës, por jemi të izoluar”, thotë Elton Bajrami, student i vitit të pestë në Fakultetin e Arkitekturës.

Elton Bajrami shpreson se do të pajiset me vizë Shengen, në mënyrë që të vizitojë shtetet e BE-së.
Elton Bajrami shpreson se do të pajiset me vizë Shengen, në mënyrë që të vizitojë shtetet e BE-së.

Për historinë dhe artin e arkitekturës të objekteve të ndryshme të cilat gjenden anembanë botës, Eltoni thotë si i ka mësuar në teori pa pasur mundësinë t’i vizitojë.

“Aq shumë jemi të izoluar sa edhe mendësia e shtetit tonë është e mbyllur”, thotë Eltoni.

Fajin për këtë izolim, Eltoni e hedh te politikat e jashtme e Bashkimit Evropian.

Në tetor të këtij viti, Eltoni bashkë me disa kolegë presin të pajisen me vizë Shengen, në mënyrë që të mund të vizitojnë disa nga objektet më të rëndësishme arkitekturore që gjenden në shtetet e BE-së.

Nëse e merr vizën, atëherë kjo do të jetë hera e parë që Eltoni do të ketë mundësi që të vizitojë këto objekte.

Disa të rinj duke marrë pjesë në "Bienalen Evropiane Nomade, Manifesta", që ka nisur në Prishtinë më 22 korrik dhe do të mbyllet më 30 tetor.
Disa të rinj duke marrë pjesë në “Bienalen Evropiane Nomade, Manifesta”, që ka nisur në Prishtinë më 22 korrik dhe do të mbyllet më 30 tetor.

Kosova, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Mosliberalizimi i vizave nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës konsiderohet si një e padrejtë që iu bëhet qytetarëve, pasi kriteret për liberalizim thuhet se janë plotësuar.

Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare prej 35 vjeç.

Papunësia është në shkallën rreth 26 për qind dhe prek më së shumti të rinjtë.

Afro 50 për qind e të rinjve në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, janë të papunë.

Rreze Kurteshi është angazhuar në rivitalizimin e ish-biblotekës "Hivzi Sylejmani", projekt në kuadër të "Manifestës".
Rreze Kurteshi është angazhuar në rivitalizimin e ish-biblotekës “Hivzi Sylejmani”, projekt në kuadër të “Manifestës”.

“Na mungon qasja – kyçja në institucione, kush ka fat mund të kyçet, kush nuk ka fat duhet të luftojë e luftojë për të treguar veten”, thotë Rreze Kurteshi, 23-vjeçare.

Institucionet e Kosovës, thotë ajo, nuk i kanë ofruar mundësi të tregojë aftësitë e saj në fushën për të cilën ajo është duke studiuar.

Për këtë, fajtor sipas Rrezes, është sistemi institucional që nuk iu mundëson gjeneratave të vjetra të pozicionohen në pozita tjera të punës dhe t’u jepet mundësi të rinjve.

Për të treguar aftësitë e saj si arkitekte e ardhshme, ajo thotë se i është mundësuar vetëm tani në ngjarjen kulturore që po mbahet në Prishtinë, “Manifesta”.

“Jam e angazhuar në projektin e rivitalizimit të ish-bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’”, tregon ajo.

Rrezja shpreson se kjo do të jetë një mundësi e mirë për të treguar aftësitë e saj si arkitekte.

Eda Gashi shpreson që pas studimeve të gjejë punë në profesionin e saj.
Eda Gashi shpreson që pas studimeve të gjejë punë në profesionin e saj.

Eda Gashi, 22-vjeçare nga Prishtina, e cila thotë se ka punuar qysh nga mosha 18 vjeçe, ka arritur që vetë t’i financojë studimet.

Eda është nga komuniteti turk që jeton në Kosovë.

Asaj i ka mbetur edhe një vit që të përfundojë studimet në Fakultetin e Elektroteknikës, por druan se pas studimeve nuk do të arrijë të punësohet në profesionin e saj.

“Kam shpresë se do të punësohem, por si po i shoh gjërat – disa njerëz po diplomojnë dhe janë të papunë”, thotë ajo.

Njëzetedyvjeçarja e cila aktualisht punon në një lokal të aksesorëve shpreson në zgjidhje të këtyre problemeve nga Qeveria aktuale, cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar.

Nart Kosova synon që të nisë studimet në Finlandë, pasi sipas tij, në Kosovë cilësia e arsimit është e dobët.
Nart Kosova synon që të nisë studimet në Finlandë, pasi sipas tij, në Kosovë cilësia e arsimit është e dobët.

Ndërkaq, Nart Kosova është një i ri nga Prishtina i cili gjatë muajve të verës ka nisur të punojë si kamerier në një lokal, punë të cilën, ai thotë se e bën me shumë dëshirë.

Narti synon nga viti i ardhshëm të nisë studimet në një universitet në shtetin e Finlandës, për shkak se siç thotë ai, cilësia e mësimit në Kosovë vazhdon të jetë nën nivelin e duhur.

“Në Finlandë e kam edhe vëllain, ai jeton atje dhe dua të shkoj të studioj, por pas studimeve do të kthehem në Kosovë”, thotë ai.

Kosova, në raporte të ndryshme ndërkombëtare, është kritikuar për cilësi të dobët në arsim, nisur nga cikli i ulët e më lart.

Një hulumtim i fundit i bërë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), i titulluar ‘Sfidat dhe këndvështrimet e të rinjve në Kosovë’, tregon se mungesa e mundësive për punë, varfëria ose situata e dobët ekonomike, dhe nepotizmi mbeten tri sfidat kryesore për të rinjtë në Kosovë.

Sipas këtij raporti, të rinjtë në Kosovë përballen edhe me probleme të mirëqenies mendore.

Tre në katër të rinj në Kosovë, sipas hulumtimit, kishin shprehur shqetësime të lehta deri në ekstrem në lidhje me përballimin e stresit.


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]