Home Lajme Shqiptarët e Luginës kërkojnë të përfshihen në dialog, theksojnë nevojën e reciprocitetit

Shqiptarët e Luginës kërkojnë të përfshihen në dialog, theksojnë nevojën e reciprocitetit

by 05
0 comment

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tyre në këtë proces duhet të ketë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ku përmes parimit të reciprocitetit të trajtohen të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike. Andaj, theksojnë se shqiptarët në Luginë duhet t’i kenë të drejtat që i kërkon komuniteti serb në Kosovë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, thotë për KosovaPress, se shqiptarët në Luginë u janë nënshtruar një diskriminimi sistematik nga autoritetet serbe.

“Ajo çka për ne është e rëndësishme, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të trajtohet çështja e Luginës së Preshevës. Këtë e ka bërë deri më tash dhe shpresojmë se hapat e tjerë në qasje sa programatike, po aq sistematike të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që nënkupton përfshirjen edhe çështjes politiko-juridike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës… Për ne është e rëndësishme reciprociteti. Përmes reciprocitetit nënkuptohet barazia dhe ajo nënkupton trajtimin e të drejtave të pakicave në mënyrë simetrike. Atë çfarë kërkojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës absolutisht ia dëshirojnë të gjithë të tjerëve, por njëkohësisht ajo çfarë kërkojnë të tjerët është e rëndësishme që të përfitojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Reciprociteti është qenësore, duke marrë parasysh se shqiptarët në luginë janë të nënshtruar një diskriminimi sistematik”, thotë ai.

Mustafi thekson se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, është një akt i shëmtuar dhe antikushtetues që Serbia po e përdorë.

Ai shton se në bazë të dhënave deri tani janë rreth pesë-gjashtë mijë qytetarë që janë pasivizuar deri tani, duke pamundësuar qytetarëve shqiptarë në Serbi të marrin dokumentet bazike, si letërnjoftimin dhe pasaportën.

Mustafi thotë se këtë gjë e kanë adresuar edhe në mekanizmat ndërkombëtar, andaj i bën thirrje Serbisë që të ndërpret këtë dhe t’i rikthejë gjitha adresat e shqiptarëve që iu kanë marrë ose pasivizuar.

“Pasivizimi i adresave është një akt administrativ përmes të cilit shlyhet adresa dhe pamundëson qytetarit t’i merr dokumentet bazike, letërnjoftimin, pasaportën dhe kështu me radhë. Ajo çka për ne është e rëndësishme se ky akt është antikushtetues, anti-civilizues dhe madje anti-drejtave të njeriut. Kemi adresuar në gjitha mekanizmat ndërkombëtar, kemi bërë raporte të veçanta sa i përket trajtimit të kësaj teme. Duke konsideruar se është një akt i shëmtuar, kemi kërkuar që në radhë të parë të ndërpritet pasivizimi, në radhë të dytë t’i rikthehen gjitha adresave shqiptarëve që iu kanë marrë ose pasivizuar…Të dhënat statistikore janë problematike të jenë, por ajo çka kanë nxjerr disa nga organizatat joqeveritare, konsiderohet se rreth 5-6 mijë qytetarë janë pasivizuar deri tash. Të dhënat statistikore të drejtpërdrejtë, pavarësisht se kemi shtruar kërkesën Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por deri më tash nuk kemi marrë informacionin e saktë se çfarë po ndodhë me këtë proces”, shton ai.

Krahas kësaj, Mustafi kërkon nga Qeveria e Kosovës por edhe ajo e Shqipërisë, të bëjnë presion Serbisë për implementim të marrëveshjeve të nënshkruara me përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ne si Këshill Kombëtar Shqiptar vazhdimisht kemi pasur bashkëpunim dhe komunikim intensiv me Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Shqipërisë. Në vazhdimësi kemi trajtuar tema edhe të veçanta që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve, por edhe tema që kanë të bëjnë me dialogun me Kosovën, por edhe implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Serbisë me përfaqësuesit institucional dhe politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e që nuk ka vullnet tash e dy dekada t’i implementojë ato”, thekson Mustafi.

Megjithatë, ai shprehet falënderues për vizitën e javës së kaluar në Luginë të Preshevës të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

“Kjo është e një rëndësie të veçantë për gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, marrë parasysh se kanë financuar librat falas për nxënësit e klasave fillore në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në klasën e tetë. Njëkohësisht kanë takuar dhe bashkëbiseduar me liderë politikë sa i përket çështjeve politike”, përfundon Mustafi./KP/


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]