Home Ferizaj Sekuestrimi i vilës së kryetarit të Gjykatës në Ferizaj ‘zhvendos’ lëndën në Gjykatën e Pejës

Sekuestrimi i vilës së kryetarit të Gjykatës në Ferizaj ‘zhvendos’ lëndën në Gjykatën e Pejës

by 05
0 comment

Objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, janë sekuestruar për dy ditë radhazi, javën e kaluar në Brezovicë. Sekuestrimi i rreth 100 objekteve u bë me urdhër të Prokurorisë pas raporteve që konstatuan se këto objekte janë ndërtuar kundërligjshëm. Këto vila janë rrethuar me shirita të Policisë dhe shteti do të vendos nëse do të rrënohen apo jo. Por lënda për këtë rast nuk do të trajtohet në Gjykatën Themelore të Ferizaj, për shkak të konfliktit të interesit, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali lënda është bartur në Gjykatën e Pejës, te gjyqtari Shaqë Curri, për shkak se njëra nga vilat e sekuestruara është në pronësi të kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustafë Tahirit.

Ky i fundit e ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e vilës, të cilën ende nuk e ka përfunduar. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi, të cilën e ka marrë nga Komuna e Shtërpcës.

Ndryshe, përveç Tahirit, edhe dy gjykatësve të Ferizajt, iu janë sekuestruar vilat në aksionin e fundit.  Të tretë fillimisht kanë blerë parcela në vitin 2016, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar vila.

Fjala është për Bashkim Hysenin ish-kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit,  si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme.

Deklarime e tyre për vilat

Maliqi e ka konfirmuar se pronën, e cila është sekuestruar, e ka blerë në vitin 2016 bashkë me dy gjykatësit e tjerë, Mustafë Tahiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa për leje të ndërtimit të vllës ka aplikuar vitin a kaluar.

“Lejen e kom marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nis afërsisht në nëntor… Këtë vit kom vazhdu dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.

I pyetur se si ka blerë pronë dhe si ka ndërtuar në Zonën e II-të të Brezovicës, ku ndërtimi ndalohet me ligj, Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.

“Në qoftë se e vërtetojnë ata (prokuroria), duhet me na akuzu neve penalisht me na ndjek, s’kom çka me fol aty unë, unë kom apliku si çdo qytetar me dokumentacion të rregullt me ato leje urbanistike… Edhe me fol të drejtën unë fortë edhe s’jom marr me atë punë se arkitekt e kom një të afërm temin, ai na ka bo planin e ato krejt a po më kupton, aty nëse vërtetohet se ka ryshfet atëherë duhet me më ndjek penalisht mu”, ka thënë Maliqi.

Maliqi thotë se as sot nuk ka informacione se në cilën zonë e ka shtëpinë në Ferizaj dhe se për këtë përgjegjësi kanë organet komunale.

“Tash s’po bisedojmë si gjyqtar e si prokuror, unë si qytetar aty kom ndërtu. Tek e fundit ato zona edhe vet prokuroria ka pas problem me i identifiku deri sa kanë dal me aparatin e GPS-ave. Tek e fundit unë kom apliku e kom paraqit parcelën, në cilën parcelë, në cilin vend, çfarë sipërfaqe, tash unë s’jom i obligum me i ditë ato zona, tek e fundit se di shpinë ku e kom në zonë në Ferizaj, a aty qe 50 vite jetoj aty, unë se di tash në cilën zonë jom”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë edhe Bashkim Hysenin e ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka ndërtuar vilën në Brezovicë. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni nëse ndërtimi në këtë zonë ndalohet, pasi ka ndjekur procedurat ligjore tek organet kompetente.

“Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka fillu… Në procedurë të rregullt kena apliku, organet kompetente e kanë lëshu, me gjithë dokumentacionin çka është dashtë”, ka thënë Hyseni.

“Nuk e kom ditë ato pjesë me zona qysh janë, gjeodet nuk jam… Unë kom ble pronë aty kam pas bindje që lejohet aty për shkak se ka pas ndërtime 10 vjet e 15 vjet para neve”, ka thënë Hyseni për Betimin për Drejtësi.

Vilat e sekuestruara në Brezovicë u ndërtuan para syve të Prokurorisë, kur filloi hetimi ishin vetëm 23

Sinjali ka raportuar para një jave se një pjesë e madhe e këtyre vilave janë ndërtuar pikërisht pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në vitin 2019 kur kanë nisur hetimet kanë qenë vetëm 23 objekte në zonën e dytë, por mbi 50 vila u ndërtuan gjatë procesit të hetimit, para syve të Prokurorisë.

Në raportin që përfshinë periudhën 2016 deri në vitin 2019, në zonën e dytë ka pasur vetëm 23 objekte, derisa nga ai vit deri në 2022 numri ka shkuar në 77.

Sipas raportit për inspektimin në Brezovicë në vitin 2019, që lidhet me aksionin e zhvilluar atë kohë, në muajin gusht, bazuar në të dhënat e nxjerra nga procesverbalet, ka rezultuar se në zonën e dytë kanë qenë 23 objekte.

Nga kjo i bie se 77 objekte të tjera janë ndërtuara para syve të Prokurorisë. Ky raport i ishte dërguar atë kohë dhe prokurorit të rastit, Rasim Malokut, i cili më 12 tetor kishte deklaruar se numri total i objekteve të ndërtuara nga viti 2019 deri më sot është më i vogël, raporton Sinjali.

 “Janë afër 80, Agjencia na ka dhënë edhe disa prona që kanë qenë gërmime, e parcela e disa objektet që nuk janë përputhë me Agjencinë për mjedisin. Rreth 100 ka qenë, megjithatë sot që e kemi përmbyllë aksionin, janë nën 80. Hetimet kanë filluar në vitin 2019. Rreth 50 janë ndërtu nga viti 2019 deri tash. Kanë lëvizur vijat e zonave, kemi dilema se si janë të përcaktuara zonat.”

Maloku tutje tha se këto ndërtime janë bërë si pasojë e mosveprimit nga inspektorët, një pjesë e të cilëve janë hetuar e arrestuar.

“Ne kemi hetuar zyrtarët, hetimi ynë ka qenë i orientuar ndaj zyrtarëve që kanë pranuar mito, kanë dhënë ryshfet, as që e kemi ditë se cila është zona e parë, cila e dytë, apo e tretë. Ata kanë ndërtu, por për qata janë hetu. Ne nuk veprojmë në preventiv, ne veprojmë kur ndodh rasti. Na nuk jena organe preventive, na veprojmë tek kur ndodhë rasti. Pse nuk kanë vepru inspektorët të ndërtimit, të nivelit komunal dhe të nivelit qendror, për atë arsye janë në hetim, e disa në paraburgim. Ne nuk bëjmë regjistrime. Kur paraqitet rasti, e hetojmë.”, përfundoi Maloku.

Sipas Prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të dyshuarit në këtë rast. Ata, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale.

Në mesin e objekteve të sekuestruara janë objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër./GS/


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
  • 1
  • 2
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]