Home Rajon & Botë Rajoni përgatitet për festën e Bajramit të Kurbanit

Rajoni përgatitet për festën e Bajramit të Kurbanit

by 05
0 comment

Në ditët e fundit para festës së Kurban Bajramit, besimtarët muslimanë në vendet e rajonit vijojnë me përgatitjet e fundit për këtë festë.

Anadolu Agency (AA) ka vizituar tregjet e bagëtive në kryeqytetet e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, ku dukshëm vërehet frekuentimi i qytetarëve.

Maqedonia e Veriut me çmim prej 130 euro për bagëti të imta

Muslimanët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë përgatitjet e fundit për pritjen e festës së Kurban Bajramit.

Në kryeqytetin e vendit, Shkup, besimtarët muslimanë të cilët kanë mundësinë të therin kurban me rastin e Kurban Bajramit, kanë vizituar pazarin e bagëtive, i cili ndodhet në periferi të qytetit.

Një nga shitësit e kurbaneve, nga fshati Koxhali e Radovishit theksoi se janë të kënaqur me shitjet e deritanishme dhe se sivjet çmimi i bagëtive të imta, kryesisht dele dhe dash, ndryshon nga 140 deri në 240 euro, ndërsa bagëtive të trasha, si lopë dhe dema, shiten me çmim nga 800 deri në 1300 euro.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, ka uruar besimtarët muslimanë që ky Kurban Bajram të jetë një festë e “gëzimit tonë, respektit ndaj njëri tjetrit, afrimit me të tjerët, shtimit të gëzimit dhe kënaqësisë te skamnorët, te ata që kanë vështirësitë e jetës, si dhe e faljes, paqes e solidaritetit dhe i afrimit te kënaqësia e Allahut Fuqiplotë”.

“Ti përkushtohesh Zotit me gjithçka që ke do të thotë të kesh vetëdije të lartë mbi ndryshimin e botës drejt ngritjes së njeriut, vlerës më të madhe që krijoi Zoti”, tha Fetai në mesazhin e urimin.

Ai shtoi se kjo festë është rezultat i gëzimit për formimin e një ambienti të flijimit të më të shtrenjtës nga e cila buron dashuria ndaj Zotit, përkushtimi ndaj njerëzores, humanes, morales, paqes e dinjitetit.

Shqipëria po ashtu me çmim të kurbanit prej 130 euro

Besimtarët muslimanë në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet e fundit për pritjen e festës së Kurban Bajramit.

Besimtarët vazhdojnë blerjen e kafshëve për kurbane për familjen e tyre, por gjithashtu edhe për të ndihmuar familjet në nevojë në vend.

Në prag të Kurban Bajramit, tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës frekuentohet më shumë në ditët e fundit, ku besimtarët bëjnë përgatitjet e fundit për pritjen e festës.

Ndërkohë, çmimi i përcaktuar i kurbanit në Shqipëri për këtë vit është 130 euro.

Gjithashtu besimtarët vazhdojnë përgatitjet edhe në blerjen e produkteve të ndryshme në tregjet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Çmimi i kurbanit në Kosovë 120 euro

Edhe qytetarët e besimit Islam në Kosovë po bëjnë përgatitjet e fundit një ditë para festës së Kurban Bajramit.

Ditët e fundit, pikat kufitare në Kosovë kanë qenë më të ngarkuara se zakonisht për shkak të ardhjes së një numri të konsiderueshëm të kosovarëve të cilët jetojnë jashtë vendit, për ta pritur Kurban Bajramin në vendlindje me familjarët e tyre.

Nevoja për t’i blerë ushqimet dhe pijet për këtë festë ka shkaktuar fluks më të madh nëpër rrugë në prag të festës, sidomos në kryeqytet, Prishtinë.

Në tregun e bagëtive në lagjen “Vranjevc” të Prishtinës, interesimi i qytetarëve për të blerë kurban, sipas shitësve, “ka qenë i kënaqshëm, me gjithë ngritjen e lehtë të çmimit për kurban”.

Çmimet për një kurban (dele) në këtë treg lëvizin nga 120 euro deri në 150 euro, ndërsa më së shpeshti blihen delet me çmimet më të ulëta dhe ato mesatare.

Qytetarë të shumtë frekuentojnë para kësaj festeje tregun e gjelbër, shitore të ndryshme, si dhe ëmbëltoret.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, do të mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë, ku Hytben apo mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Myftiu Tërnava po ashtu ka uruar besimtarët muslimanë në Kosovë në prag të festës. Në emër të Bashkësisë Fetare Islame (BIK) të Kosovës.

“Lutjet, ibadetet, devotshmëria, përkushtimi e sakrifica që e karakterizojnë Kurban Bajramin, me të gjitha ritualet e tjera, përfshirë edhe haxhin dhe kurbanin si dimensionet kryesore të kësaj feste, krijojnë një reflektim shpirtëror, që besimtarin e fisnikërojnë edhe më shumë, e bëjnë më human dhe më të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë, sepse që të gjitha këto bëhen me emër dhe për hir të Zotit, tek i cili arrin vetëm qëllimi dhe nijeti ynë i mirë pas obligimit që kemi”, tha Tërnava.

Kreu i BIK-ut tha se pas dy vjetëve të përballjes me pandeminë e koronavirusit COVID-19, këtë vit besimtarëve muslimanë iu mundësua udhëtimi drejt vendeve të bekuara për të kryer haxhin, që është një gëzim shtesë në këtë festë të Kurban Bajramit.

Simboli i festës së Kurban Bajramit është prerja e kurbanit, në përputhjeve me rregullat islame. Mishi i kurbanit u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.

Rituali i kësaj feste nesër fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë.Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]