Home Ferizaj Qytetarët që jetojnë afër kompanisë së pastrimit në Ferizaj ankohen për kundërmim

Qytetarët që jetojnë afër kompanisë së pastrimit në Ferizaj ankohen për kundërmim

by 05
0 comment

Banorët që jetojnë afër ndërtesave të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj po thonë se jeta e tyre është vështirësuar për shkak të kundërmimit nga mbetjet e bërllokut.

Agim Izeti, qytetar i Ferizajt, i cili jeton afër objektit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” po ankohet se ka kundërmim të rëndë në lagjen e tyre.

“Na jemi në problem, se i kemi familjet shumë afër. Unë jam vet i 11-ti. Po krejt kur flejmë, edhe ditën i mbajmë dritaret mbyllur, shkaku i bërllokut.” – thotë ai.

Sipas tij, kjo erë e keqe vjen si pasojë e mbledhjes se eshtrave dhe mbetjeve nëpër mishtoret e Ferizajt të premtëve.

Sipas tij, këto mbetje të cilat rrijnë aty deri të hënën, kur i dërgojnë në deponi të bërllokut në Gërlicë.

Ai thotë se merakosen më shumë për fëmijët që detyrohen të thithin atë ajër.

E ngjitur me këtë kompani është edhe njëra nga Qendrat e Mjekësisë Familjare të qytetit dhe një çerdhe.

Stafi i Qendrës së Mjekësisë Familjare prapa kamerave tha se ky problem po i pengon edhe ata në kryerjen e punës së tyre dhe se detyrohen t’i mbyllin dritaret dhe dyert, pasi që objekti i tyre mbushet me erë të keqe.

Qendra e Mjekësisë familjare dhe objekti i Kompanisë Rajonale të Pastrimit në Ferizaj | Foto: Kallxo.com

Ndërsa, KRM “Pastërtia” thotë se kundërmimi nuk vjen nga mbeturinat sepse në hapësirën e kompanisë së tyre nuk ka mbeturina të deponuara.

“Mirëpo një gjë e tillë ka mund të ndodhë d.m.th. të vie era herë pas here prej rimorkiove të kamionëve të kompanisë të cilët bartin mbeturina kur temperaturat janë tepër të larta. Por kjo gjë nuk ka ndodhë shpesh sepse është reduktuar dukshëm pas pastrimit të vazhdueshëm të kamionëve pas çdo zbrazje që bëhet e sidomos me marrjen e kamionëve të rinj.” – shtuan ata.

Ndërkohë, ndërtimi i objektit të ri të KRM “Pastërtia”, që është premtim i dhënë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu edhe në zgjedhjet e fundit ende nuk ka përfunduar.

Më 22 qershor 2021, Aliu kishte shkruar se ky objekt do të finalizohet brenda pak javësh.

Albion Sherifi, shef i Kabinetit në Komunën e Ferizajt, tha se kontrata për ndërtimin e këtij objekti ishte lidhur në vitin 2018 mes Komunës dhe Operatorit Ekonomik NPN “Agoni” dhe ishte paraparë si projekt trevjeçar.

Mirëpo, ky projekt kishte filluar me vonesë për shkak të ndërrimit të lokacionit.

“Në muajin shkurt të vitit 2020, me vendim të Kuvendit të Komunës është bërë ndërrimi i lokacionit për ndërtimin e objekteve, prandaj punimet kanë filluar me vonesë, më 18.05.2020. Komuna kishte planifikuar që brenda vitit 2022 të përmbyllet ky projekt, mirëpo për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia dhe kriza e inflacionit, kompania NPN “Agoni” ka punuar me kapacitet të ulët.” – tha Sherifi.

Ai tha se janë realizuar 70% të punimeve dhe tani janë në pritje të ndonjë vendimi nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen e problemit të ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

Prandaj, sipas tij edhe përfundimi i objektit varet nga Qeveria e Kosovës, se kur do të marrë ndonjë vendim, qoftë për ndërprerjen e kontratave me mirëkuptim apo të kompensimit të operatorëve ekonomik për vlerën e ngritje së çmimeve.

KALLXO.com kishte raportuar edhe vitin e kaluar për kundërmimin që vinte si pasojë e grumbullimit të mbeturinave në oborr të kompanisë./kallxo/


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]