Home Lajme ​Kosovës po i ikin edhe kontrollorët e trafikut ajror, rrezikohet shërbimi 24 orësh 

​Kosovës po i ikin edhe kontrollorët e trafikut ajror, rrezikohet shërbimi 24 orësh 

by 05
0 comment

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti numri i fluturimeve në Kosovë ka shënuar rritje për 60%.

Vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti kanë qenë mbi 2 mijë operime, ku ky numër është mbi 43 përqind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Mirëpo, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) po vuan mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror pasi vetëm viteve të fundit 10 të tillë janë larguar nga Kosova për shkak të kushteve më të mira në vendet e tjera. Kjo po rrezikon seriozisht shërbimin 24 orësh që ofron aktualisht ASHNA.

Zëdhënësi i ASHNA-s, Driton Ujkani, deklaroi për KosovaPress se numrat e fluturimeve për periudhën janar-qershor të këtij viti janë rekord i ri. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë rreth 4 mijë fluturime më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare të ASHNA-s, shifrat e këtij gjashtëmujori i kanë tejkaluar edhe ato të gjashtëmujorit të 2019-s që mbante rekordin për numrin më të lartë të operimeve për gjysmën e parë të vitit.

“Gjatë muajit qershor të vitit 2022 kemi pas një numër rekord të fluturimeve, afër 2 mijë operime brenda kësaj periudhe, që nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2021 është një rritje prej 43.5 përqind. Ndërsa për periudhën janar-qershor 2022 kemi një numër rreth 9 mijë e 815 operime apo janë 63.5 përqind më shumë operime sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2021. Te kjo rritje ka mundur të ndikojë pandemia, ku vitin 2021 nuk ka pasur edhe aq shumë operime. Mirëpo nëse e krahasojmë me periudhën e vitit 2019, edhe në atë vit kemi pas rritje te numrit te fluturimeve në krahasim me periudhën e njëjte, ku viti 2019 është marrë si vit krahasues për shkak se prej pas luftës deri në vitin 2019, ka shënuar rekord të operimeve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”, theksoi Ujkani.

Mirëpo, rritja e numrit të fluturimeve do të thotë më shumë punë për kontrollorët aktualë të trafikut ajror të ASHNA-s të cilët janë të paktë në numër. Viteve të fundit kanë ikur dhjetë kontrollorë në vendet e tjera në të cilat iu ofrohen kushte më të mira pune.

Ujkani pranoi se rreziku i ikjes së punëtoreve është i lartë dhe sipas tij nëse vazhdon një trend i tillë, ASHNA-së i pamundësohet ofrimi i shërbimit 24 orësh.

“Me rritjen e numrit të operimeve në ASHNA, nënkupton edhe rritje të volumit te punës, sidomos në Departamentin e Shërbimeve të Trafikut Ajror, ku në këtë departament, ne operojmë me një numër jo të kënaqshëm të kontrolloreve të trafikut ajror, gati jem në minimumet e tyre, që nënkupton se kontrollorët e trafikut ajror në ASHNA punojnë edhe shumë orë shtesë jashtë orarit për shkak të mungesës së stafit të kontrollorëve të trafikut ajror. Ne vetëm brenda një periudhe shumë të shkurtër, gjashtë ose shtatë vite kemi rreth dhjetë kontrollorë që e kanë lenë punën në ASHNA për shkak të kushteve më të mira që ofrohen në vendet e treta. Nëse vazhdon ky trend i tillë mund të paraqet një problem në ASHNA për shkak se ne na pamundësohet ofrimi i shërbimit 24 orë për shkak se ne i kemi edhe minimumet e caktuara se me sa kontrollorë mund të operojmë për të ofruar shërbim të navigimit ajror të sigurt dhe cilësor”, tha ai.

Ujkani tha se deri në licencimin e një kontrollori të trafikut ajror nevojitet përgatitje që zgjat një vit e gjysmë, ku kostoja shkon rreth 300 mijë euro për një kontrollor.

“ASHNA ka bërë të gjitha planet për të ofruar këtë shërbim 24 orë, ku në vitin 2019 ne e kemi rekrutuar edhe gjeneratën e katërt të kontrolloreve të trafikut ajror, ku është një periudhë relativisht e gjatë që ka ndikuar edhe pandemia për shkak të procedurave që duhet të ndiqen deri në kualifikimin përfundimtar për të qenë kontrollor të trafikut ajror, ku nevojiten standard rreth një vit e gjysmë ose një kosto financiare për një kontrollor të trafikut ajror që të jetë i licencuar dhe i gatshëm për të ofruar shërbimin me një shumë afër 300 mijë euro vetëm për një kontrollor të trafikut ajror”, u shpreh Ujkani.

Ndryshe nga mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror, ASHNA ka arritur të realizojë disa investime të rëndësishme në teknologji për të rritur sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve të saj.

“Në ASHNA janë bërë mjaftë investime në teknologji sa i përket cilësisë të ofrimit të shërbimeve të navigimit ajror, kjo për faktin se projekti për zgjatjen e pistës ka shumë nënprojekte të tjera që janë investime për ASHNA, ose fakti që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të operojë në cut3b, kjo që nënkupton në kushtet e dukshmërisë të ulët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më nuk do të ketë probleme në procesin e aterimit siç ka qenë deri më tani, ku në kushtet e dukshmërisë ulët ose mjegullës apo te reshurave të borës, ku është zvogëluar dukshmëria, ku ka qenë e pamundur të aterohet nën dukshmërinë e 350m, tashmë aterimi do te mund të realizohet edhe në dukshmëri prej 50m, falë këtyre investimeve që janë bërë në projektin e zgjatjes së pistës”, tha ai.

Ndryshe, ofrimi i sigurtë i shërbimeve të navigimit ajror për shfrytëzuesit e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës mbetet edhe mision parësor i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]