Home Op/Ed Joga, gjimnastikë apo ritual fetar?

Joga, gjimnastikë apo ritual fetar?

by 05
0 comment
Metin Izeti

Kohëve te fundit shumë njerëz ,përmes teknikave lindore, jogës dhe meditimit transcendental, kërkojnë përvoja të thella shpirtërore, pa provuar kurrë thesaret e meditimit soditjes/ kontemplacionit islam. Kjo është kështu për shkak se kjo trajtë e adhurimit hinduist paraqitet si gjimnastike dhe brend mode. Në esencë joga ëshë metode e soditjes që me vete tërheq edhe adhurimin e kësaj tradite të lashte politeiste dhe nuk përkon fare me traditën tonë monoteiste. Shpirtëria e vërtetë dhe shëndeti shpirtëror i vërtetë mund të arrihet vetëm nëpërmjet meditimit, përmes metodave të thellimit shpirtëror për ekzaltim dhe emocionim me Njëshin absolut, largimin e kontekstit të shumësisë së qenies dhe stërvitje për t’u përqendruar në Njëshin/Ehad.

Joga dhe teknikat e ngjashme orientale, në pjesën më të madhe, i tërheqin ata njerëz që brenda traditës së tyre origjinale nuk i kanë zbuluar thesaret e besimit të tyre dhe nuk kanë e provuar takimin me Zotin. Të pakënaqur me vetë formën, ata u drejtohen teknikave të përmendura. Duhet të theksohet se teknikat orientale po bëhen modë. Me favorizimin (ose mashtrimin) e disa shërbimeve, teknikat e përmendura duan të depërtojnë në sistemin arsimor, nën petkun e bazave “shkencore”, veçanërisht “terapeutike”. Ky fenomen është duke ndodhur edhe në shtetet tona. Deri tash joga dhe kulturat lindore, të veshura me petkun ateist të Perëndimit, ishin të pranishme vetëm në platformat joformale dhe jozyrtare, mirëpo kohëve të fundit, nën kontekstin e “integrimeve evropiane”, edhe në shtetet tona është duke u sforcuar, krahas shumë koncepteve tjera, edhe joga. Personat zyrtarë shtetërorë, madje edhe ministrat e Arsimit, përgatitin pilot-programe për arsimin publik, ku vend të rëndësishëm do të ketë edhe joga. Pse joga? A nuk kemi ne si shoqëri shqiptare, por edhe ballkanike, koncepte autoktone tradicionale, të cilat janë shumë më të përkryera se joga? Po kemi, por ato nuk janë të europianizuara, nuk janë të zhveshura nga petku fetar dhe nga koncepti i Zotit. Islami, por edhe Krishterimi, si fe qiellore, kanë shumë më tepër stërvitje shpirtërore që e mbajnë të gjallë dhe të shëndoshë shpirtin dhe trupin sesa që i ka hinduizmi e budizmi. Por, ama, këto koncepte shpirtërore e kanë ruajtur relacionin e ngritjes drejt Zotit me përkushtim dhe adhurim, ndërsa joga dhe bazat e saj në kulturën hinduse pretendojnë që Zotin “ta zbresin në tokë”, që t’i shërbejë njeriut dhe ky koncept pikë për pikë pajtohet me konceptin e liberalizmit dhe materializmit të sforcuar të kulturës dhe qytetërimit eurocentrist. Pra, me jogën, në një mënyrë, na shërbehet pija e Huntigtonit, Fukujamës, po ndoshta mund të themi edhe Sorosit, me ibrikun e Lindjes së Largët.

Çka është në realitet Joga?

Joga është, mbi të gjitha një teknikë hindu e çlirimit (vetëshpëtimit) nga SAMSARA (cikli i mishërimeve të përhershme!). Sipas hinduizmit, njeriu është i lidhur me procesin e vazhdueshëm të lindjes nga KARMA. Prandaj, joga është një teknikë fetare. Joga është boshti qendror i hinduizmit. Nuk ka hinduizëm pa joga, as joga pa hinduizëm. Kjo konfirmohet gjithashtu nga mësuesit që ushtrojnë joga në Perëndim. Mësuesit e jogës së pari sigurojnë se është një teknikë jofetare dhe menjëherë më pas ata vazhdojnë prezantimin e tyre me shkencën e karmës, rimishërimit dhe koncepteve të tjera hindu si shkencore. Për shkak se joga në Perëndim shërbehet si një teknikë “shkencore” ose “terapeutike”, gurutë kanë siguruar pasuri të madhe duke mësuar jogën në Perëndim.

Hinduizmin, më thjesht, mund ta kuptojmë përmes pesë koncepteve të tij themelore. Jeta, sipas hinduizmit, zhvillohet në mënyrë ciklike, në një rreth të quajtur samsara. Jetët e njerëzve, kafshëve dhe perëndive i nënshtrohen këtij procesi. Samsaran mund ta imagjinojmë si një rrotë të madhe të drejtuar nga “motori” i veprave tona, të mira ose të këqija, të quajtur karma. Bota në të cilën jetojmë është iluzore dhe quhet maja. Realiteti i vërtetë është nirvana, i cili në traditën e feve qiellore mund të krahasohet me parajsën, edhe pse nirvana nuk paraqet një vend të caktuar, por një gjendje të çlirimit dhe relaksimit (moksu). Kuptimi i jetës është ta ndalosh motorin e karmës, në mënyrë që të dalësh nga cikli i samsaras dhe të arrish nirvanën, ndërsa mjeti i arritjes deri te çlirimit prej samsarës quhet joga. Edhe pse në të shumtën e rasteve ndjekësit e jogës tek ne nuk janë të vetëdijshëm për këtë çështje, kjo nuk e ndryshon statusin e jogës, që i përket një mjedisi tjetër shpirtëror dhe një filozofie që nuk është në ujdi me fetë qiellore, por alternativa e tyre. Ajo është një kthim në nivelet primitive të fetarisë, pa marrë parasysh se qendrat e caktuara dhe të sinkronizuara midis vetes e thonë të kundërtën.

Prej këtu arrihet në derën e antropologjisë tantrike me bazë në chakra, me të cilën një praktikues i jogës njihet përmes teknikave të zakonshme të frymëmarrjes (pranayana) për të arritur unitetin e Shiva (që pushon në chakrën kurorë) dhe Shakti (që pushon në chakrën më të ulët, muladhara). Terminologjikisht, joga do të thotë zgjedhë, bashkim, ka të bëjë me zbutjen, do të thotë një lloj vuajtjeje, asketizmi, synon vlera të caktuara morale që mund të shihen si të ngjashme me urdhrat e zbulesës hyjnore, por kjo nuk është e gjitha. Në pjesën e saj të fundit joga përpiqet ta arrijë unitetin, bashkimin e subjektit dhe objektit, atmana dhe brahman, thënë me fjalor filozofik, monizmin. Një ekspert i respektuar i historisë krahasuese të feve, Mircea Eliade, e përshkruan dallimin midis feve qiellore dhe jogës me fjalën enstazë. Derisa traditat e përshpirtshmërisë në fetë qiellore përpiqen për ekstazë, vetë-dalje dhe hapje ndaj të tjerëve, joga përfaqëson ekstazën, izolimin nga bota në botën e psikikës vetjake.

Joga është bërë një modë që mediumet e imponojnë në mënyrë agresive. Ajo u bëhet joshëse edhe gjeneratave më të reja nëpërmjet filmave vizatimore dhe lojërave kompjuterike. Mendoj se fenomeni i jogës duhet të trajtohet me maturi dhe mençuri, megjithëse nuk ka nevojë që të demonizohet. Pra, duhet ta kemi parasysh se joga është pjesë e një kulture dhe feje dhe, si e tillë, ajo duhet të respektohet. Sidoqoftë, çfarë shërben për ne, që nuk kemi asgjë të përbashkët dhe nuk kemi kontekst të dialogut ndërfetar me hindusët? Pse duhet ta praktikojmë fare? Cilat janë motivet e vërteta për ta praktikuar jogën? A nuk ka teknika dhe stërvitje të tjera më të përshtatshme për përforcimin e muskujve? Ndërkaq, sa i përket shpirtërisë, a nuk kemi ne në traditat tona islame dhe të krishtere stërvitje shpirtërore me të cilat mund ta arrimë çlirimin dhe relaksimin nga parimi i së keqes dhe ta largojmë djallin prej nesh? Po, gjithsesi se kemi. Namazi, zikret e ndryshme, këndimi i Kuranit, soditja për ekzistencën, të gjitha kanë qëllim çlirimin e njeriut prej të keqes dhe bashkimin me Një-shin. Nëse analizohet nga aspekti religjioz, joga është e papranueshme, për shkak se ajo dëshiron që subjektin ta zbresë në objektin, dëshiron Zotin ta zbresë në nivelin e njeriut.

Pikëpamje të tilla shpirtërore janë në kundërshtim të plotë me traditën islame, si dhe atë të krishterë, ku është i qartë dallimi midis Krijuesit dhe krijesës, Zotit dhe njeriut. Zoti gjithmonë është “diç tjetër” dhe kurrë vetëm njeriu. Joga është në kundërshtim të plotë me doktrinat fetare të feve qiellore, pasi është panteiste (Çdo gjë është zot) dhe për shkak se e pranon që realiteti është parim dhe jo Person dhe ekzistencë reale. Nëse do të ekzistonte një realitet ekzistues dhe gjithçka tjetër do të ishte iluzive ose joreale, atëherë çfarë kuptimi do të kishte adhurimi dhe dashuria ndaj Zotit?

Popullariteti masiv i jogës pikërisht në qarkun e civilizimit bashkëkohor është një paralajmërim serioz për traditat fetare qiellore. Ndoshta një prej problemeve kryesore është se fetë qiellore, për shkak të institucionalizimit dhe përqendrimit ekstrem në organizimin social, e kanë harruar brendinë e njeriut, ngritjen e tij vertikale dhe gjithnjë e më pak kanë përgjigje për pyetjet që e mundojnë njeriun modern. Njerëzit sot kanë nevojë, ndër të tjera, që ta menaxhojnë stresin, ta forcojnë shpirtin dhe të kenë një trup të shëndoshë. Për fat të keq, traditat fetare qiellore përgjithësisht qëndrojnë të heshtura për të gjitha këto çështje, sepse në pjesën më të madhe kanë përfunduar në një lloj literalizmi, ku aspektet shpirtërore dhe mendore të njerëzimit janë lënë pas dore dhe është ruajtur vetëm forma. Prandaj, teologët duhet të nxjerrin në pah se feja e vërtetë është e interesuar për njeriun si tërësi, edhe për shpirtin edhe për trupin. Fetë qiellore dhe Islami, në veçanti, në të gjitha këto fusha ofrojnë zgjidhje më të mira sesa përgjigjet alternative, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Thënë shkurt, komunitetet fetare, islame dhe të krishtere, duhet të tregojnë angazhim maksimal dhe praktikë të përditshme për përmirësimin e jetës së individëve dhe komuniteteve, që mos të paraqitet nevoja për metoda alternative, që nuk kanë të bëjnë me traditat tona.

Dr. Metin Izeti


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
  • 1
  • 2
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]