Home Rajon & Botë Çavuşoğlu në Beograd: Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në zemër të Ballkanit

Çavuşoğlu në Beograd: Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në zemër të Ballkanit

by 05
0 comment

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se interesat e ngushta politike brenda Bashkimit Evropian kanë kapur peng axhendën e zgjerimit të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në Samitin e Iniciativës “Ballkani i Hapur” iu drejtua me një fjalim pjesëmarrësve të ardhur nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi dhe Hungaria.

Ministri turk shprehu falënderimet ndaj vendit pritës Serbisë për organizimin dhe ftesën si dhe vuri në dukje se përgjatë historisë Ballkani është përballur me ndikime të ndryshme për shkak të pozicionit të tij gjeografik.

Çavuşoğlu tha se Türkiye i ka kushtuar gjithmonë rëndësi politikave të Ballkanit. “Objektivi i Iniciativës ‘Ballkani i Hapur’ kryesisht për të ofruar akses të lirë në tregun e punës është shpresues. Edhe shkëmbimet studentore, projektet e përbashkëta kërkimore dhe njohja e certifikatave profesionale do të mbajnë në rajon të rinjtë e kualifikuar ballkanas. Shpresojmë që këto të zgjidhin problemin për emigrimin e trurit me të cilin Ballkani po përballet. Si një nga investitorët e rëndësishëm të rajonit, besojmë se këto do të inkurajojnë edhe investimet e huaja të drejtpërdrejta”, tha ai.

Në fjalën e tij duke tërhequr vëmendjen në luftën Rusi-Ukrainë, Çavuşoğlu tha se: “Kjo është një thirrje zgjimi. E kemi parë se sa të ndjeshëm jemi përballë valëve të ndryshme shokuese (goditëse). Dimri po vjen. Energjia dhe siguria ushqimore po bëhen probleme të përbashkëta. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç solidarizimit. Si Türkiye do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën në pjesën që na takon për zbatimin e Marrëveshjes së Istanbulit për Drithërat”.

“Po ashtu po bëjmë më të mundurën tonë për të ndihmuar fqinjët tanë në Ballkan të plotësojnë nevojat e tyre për gaz gjatë stinës së dimrit. Lufta tregoi edhe njëherë rëndësinë e investimeve të përbashkëta në burime të energjisë së rinovueshme dhe integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit”, tha Çavuşoğlu.

“Interesat e ngushta politike kanë kapur peng axhendën e zgjerimit”

Pasi deklaroi se Iniciativën e “Ballkanit të Hapur” e sheh si një urë mes Ballkanit dhe BE-së, Çavuşoğlu tha: “Zgjerimi ishte një prej politikave më të suksesshme të BE-së në të kaluarën. Por, BE-ja u bë e mbyllur në vetvete dhe interesat e ngushta politike kapën peng axhendën e zgjerimit. Askush nuk mund ta shpjegojë në mënyrë të rregullt përse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur kaq gjatë”.

Çavuşoğlu uroi të dy vendet për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Sipas tij, lufta në Ukrainë ka vërtetuar edhe njëherë rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe uroi për vendet që kanë filluar negociatat e anëtarësimit. “Shpresoj që përvoja e tyre të jetë ndryshe nga e jona”, tha ai.

Pasi vuri theksin se shpreson që Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” të rrisë integrimin evropian, Çavuşoğlu tha: “Nuk dua të flas se si u politizua me interesa të ngushta anëtarësimi i Türkiye-s”.

Ai potencoi se shpreson të ketë pjesëmarrje të më shumë vendeve në Iniciativën e “Ballkanit të Hapur” dhe përmendi si shembull Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili ka vazhduar për më shumë se 25 vite.

“Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në zemër të Ballkanit”

Kryediplomati turk Çavuşoğlu tërhoqi vëmendjen se në Ballkan ndodhen dy sfida, prej të cilave njëra është kriza politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe tjetra procesi i dialogut Serbi-Kosovë.

Në fjalën e tij, Çavuşoğlu rikujtoi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan javën e ardhshme do të vizitojë BeH-në, Serbinë dhe Kroacinë. “Situata aktuale në BeH do të jetë në krye të axhendës tonë. Nuk mund të lejojmë një konflikt tjetër në zemër të Ballkanit”, tha Çavuşoğlu.

Më tej ai theksoi se marrëveshja për udhëtime me letërnjoftime mes Serbisë dhe Kosovës tregon rëndësinë e takimit në pika të përbashkëta.

“Türkiye është në kontakt me të dy palët. Do të vazhdojmë të inkurajojmë palët në dialog për të arritur një marrëveshje për targat e automjeteve dhe çështjet e tjera që presin”, tha Çavuşoğlu.

Ai tha se Türkiye nuk është ndonjë rival ose i huaj për Ballkanin dhe se Türkiye është krenare që ndodhet në Ballkan.

“Ne i kundërshtojmë ndasitë artificiale”, tha Çavuşoğlu duke shtuar më tej se ndarja e Ballkanit si Perëndimi dhe Lindja ashtu sikur nuk do zgjidh problemet, ajo nuk do të jetë as në interesin e askujt.

“Türkiye do të tregojë çdo përpjekje për të mirën e Ballkanit. Ballkani duhet të ketë në dorë fatin e tij. Duhet të heqim pengesat përpara rritjes. Së bashku duhet të arrijmë në mirëqenie”, tha Çavuşoğlu.


Listoni edhe ju te BIZNESET E FERIZAJT

You may also like

Leave a Comment

Rreth nesh!

Zeropese.com është medium në pronësi të Media 05 BI.
Është themeluar me 2 qershor 2014.
Media zeropese.com është medium i pavarur me qëllim të informimit të ngjarjeve të nivelit lokal dhe rajonal, nxitjes së iniciativave për veprim!
[class^="wpforms-"]
[class^="wpforms-"]